Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK) shpreh shqetësimin e saj për situatën e krijuar në sektorin e qumështit, e cila ka sjellë vështirësi në grumbullimin e qumështit dhe ulje të çmimit për fermerët.
Fermerët nuk duhet të jenë viktima të situatës së krijuar në sektorin e qumështit. Kërkojmë që çdo litër qumësht i prodhuar në Kosovë të grumbullohet dhe që çmimi i blerjes së qumështit të rikthehet si më parë.
Për vite me radhë, fermerët dhe industria e përpunimit kanë zhvilluar së bashku sektorin e qumështit në Kosovë. Prandaj, kjo situatë duhet të tejkalohet së bashku përmes bashkëpunimit dhe jo duke dëmtuar hallkën më të dobët të zinxhirit – fermerin.
Shoqata mbështet plotësisht inspektimet dhe kontrollin e zbatimit të ligjit nga institucionet përgjegjëse. Megjithatë, këto kontrolle duhet të jenë të vazhdueshme, profesionale, pa paralajmërim dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë operatorëve të sektorit. Për SHPQK-në, me rëndësi të veçantë është garantimi i sigurisë ushqimore, e cila duhet të respektohet nga prodhuesit dhe përpunuesit, si dhe të rregullohet njëherë e përgjithmonë përmes një kornize ligjore.
Në të njëjtën kohë, kjo situatë tregon se sektori ka nevojë për politika zhvillimore afatgjata që sigurojnë stabilitet për fermerët, industrinë e përpunimit dhe konsumatorët.
SHPQK kërkon:
- Të fillojë menjëherë grumbullimi i të gjithë sasisë së qumështit të prodhuar në fermat e Kosovës.
- Të rikthehet çmimi i grumbullimit në nivelin që ka qenë para zhvillimeve të
- Përpunuesit e qumështit të mos ndërpresin në mënyrë të menjëhershme grumbullimin e qumështit dhe të vazhdojnë ta trajtojnë fermerin si partner strategjik.
- Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe institucionet përgjegjëse të forcojnë kontrollin e produkteve të importuara, veçanërisht atyre me përmbajtje me origjinë bimore, si dhe të rregullojnë e të zbatojnë në mënyrë të qartë ndarjen fizike dhe vizuale të produkteve me origjinë shtazore nga produktet me origjinë bimore në të gjitha pikat e shitjes. Produktet me origjinë bimore duhet të vendosen në rafte të veçanta dhe të identifikohen qartë, në mënyrë që konsumatori të mos krijojë konfuzion gjatë blerjes, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të monitorojnë vazhdimisht zbatimin e këtyre standardeve.
- Të aplikohet taksë/akcizë dhe të rritet TVSH-ja për produktet me origjinë bimore, qumështin pluhur dhe komponentët e tjerë shtesë, si për ato të prodhuara në vend ashtu edhe për produktet e importuara, të cilat konkurrojnë drejtpërdrejt produktet e qumështit.
- Të merren masa antidamping ndaj qumështit UHT dhe produkteve të qumështit të importuara që dëmtojnë prodhimin vendor.
- Institucionet publike t’u japin përparësi produkteve vendore në furnizimet dhe konsumin e tyre.
- Institucionet shtetërore të krijojnë mekanizma ligjorë dhe rregullativë që garantojnë një hapësirë minimale për produktet vendore në rrjetet e marketeve. SHPQK propozon që të shqyrtohet përcaktimi me ligj i një kuote minimale prej 30% të rafteve të dedikuara për produktet ushqimore vendore, si masë për mbështetjen e prodhimit vendor dhe krijimin e një konkurrence të drejtë.
- Institucionet përgjegjëse të forcojnë mbikëqyrjen e praktikave tregtare ndërmjet rrjeteve të marketeve dhe përpunuesve vendorë, me qëllim eliminimin e praktikave, përfshirë bonuset vjetore, tarifat për pozicionim në rafte dhe kushtet e tjera të padrejta kontraktuale që rëndojnë prodhuesit dhe përpunuesit vendorë.
Sektori i qumështit është një sektor strategjik për ekonominë dhe sigurinë ushqimore të Kosovës. Mbrojtja e fermerëve, zhvillimi i industrisë së përpunimit dhe krijimi i një tregu të drejtë duhet të jenë prioritet i institucioneve dhe i të gjithë akterëve të sektorit.
Për hir të bashkëpunimit të deritanishëm dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të fermerëve, i bëjmë thirrje kompanisë Vita që nga dita e nesërme të fillojë grumbullimin e qumështit nga fermerët. Besojmë se situata do të stabilizohet shumë shpejt dhe se bashkëpunimi i deritanishëm do të vazhdojë në interes të të gjithë sektorit të qumështit.
Sot më shumë se kurrë, fermerët kanë nevojë për stabilitet, siguri dhe partneritet. Vetëm duke mbrojtur prodhimin vendor, mbrojmë edhe të ardhmen e Kosovës.







