ALEN

Fermerët qumështar të kënaqur me subvenicionet, por kërkojnë edhe subvencionim të klasës së tretë

Blegtoria është mjaft e rëndësishme për bujqësinë e Kosovës, kurse për ministrinë është e rëndësishme prodhimi i qumështit pasi për këtë janë ndarë mjete të konsiderueshme. Për këtë sektor…

Begtoria është mjaft e rëndësishme për bujqësinë e Kosovës, kurse për ministrinë është e rëndësishme prodhimi i qumështit pasi për këtë janë ndarë mjete të konsiderueshme. Për këtë sektor po ndahen edhe subvencione për fermerët në bazë të cilësisë së qumështit. Për disa shtete sektori i blegtorisë është aq i rëndësishëm sa edhe kanë hapur akademi për qumësht siç është rasti në Holandë.

Në Kosovë investimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në sektorin e qumështit në vitet e fundit arrijnë në 50 milionë euro. Përmes kësaj mbështetjeje, ky sektor është zhvilluar dukshëm, duke rritur fondin blegtoral dhe ngritjen e cilësisë së qumështit përmes subvencionimit të krerëve prodhues, ndërsa përmes granteve investive është investuar në ferma, në mekanizim bujqësor, pajisje për avancimin teknologjik të përpunimit të qumështit dhe përmirësim të marketingut të produkteve të qumështit. Janë rreth 300 milionë litra qumësht që prodhojmë në vit nga mbi 180 mijë krerë lopë qumështore dhe rrjedhimisht, ky sektor gjeneron të ardhura të mira për mijëra familje në Kosovë.

Naser Bajraktari, Kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (ShPQK), tha se që nga përfundimi i luftës prodhimtaria e qumështit është duke u zhvilluar gradualisht me synim të ngritjes së prodhimit si dhe nivelit të cilësisë së qumështit.

Ai tha se ShPQK-ja që nga themelimi është konsoliduar dhe si pikësynim kryesor për anëtarë ka mbrojtjen e interesave të prodhueseve kosovar të qumështit.

“Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, numëron rreth 2000 anëtarë, e që të gjithë janë prodhues komercial të qumështit, e që do të thotë, dorëzojnë prodhimin e tyre në qumështore, ose në pikat grumbulluese, ku gjithsej mbi 200 mijë litra prodhimtari ditore”, kështu ka deklaruar për Kosova Info, Bajraktari.

“Të shumta janë aktivitetet me të cilat shoqata jonë është marr me qëllim për përmirësimin e gjendjes në sektorin e qumështit, si në cilësi, po gjithashtu edhe në rregullimin e politikave favorizuese të këtij sektori”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur punën disa vjeçare të kësaj shoqate për heqjen e TVSh-së nga qumështi, subvencionimin e qumështit sipas kategorive në bashkëpunim me MBPZhR, subvencionimin për kokë gjedhi, me numër të pakufizuar të krerëve, rregullimin e akteve nënligjore për mbrojtjen e prodhimit tonë në periudhën e verës nga importet ku kemi bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Parlamentar për Bujqësi dhe atë për Financa e të përkrahur nga MTI.

“Hë për hë, jemi duke e implementuar projektin “Transparenca dhe Neutraliteti i Marrjes së Mostrave” i cili nga ky vit dhe nga dy vitet e ardhshme do të financohet nga KE-ja”, ka thënë ai.

Ky projekt, sipas tij, përveç që ka ndikuar në përmirësimin e marrjes së mostrave dhe modernizimin e makinave, gjithashtu ka mundësuar rritjen e cilësisë së qumështit pasi që varësisht nga kategoria e cilësisë, fermerët subvencionohen nga MBPZhR, me 6 centë për ekstra klasë, 4 centë për klasën e parë dhe 2 centë për klasën e dytë.

“Ne sasinë dhe cilësinë e qumështit do ta ngrisim gjithnjë, sepse kjo është në interesin tonë që kjo të ndodh, por mbetet për tu dëshiruar, siguria në plasmanin e pandërprerë të prodhimit tonë, në stabilitetin e çmimit blerës nga qumështorja, dhe si vazhdimin dhe pse jo edhe në përmirësimin e politikave subvencionuese në këtë sektor”, ka thënë ai

Ai tha se vitin e kaluar kemi promovuar qumështin e freskët vendor.

Bajraktari falënderoi të gjithë akterët që kontribuuan në lansimin e fushatës “Promovimi i Qumështit të Freskët Vendor”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e konsumimit të qumështit të freskët dhe të pasterizuar. Përveç efekteve pozitive shëndetësore, konsumimi në masë të qumështit të freskët ndikon në rritjen dhe zhvillimin e sektorit. Jemi të bindur se efekti i kësaj fushate shumë shpejtë do të prekë prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit dhe konsumatorët”, tha Bajraktari.

“Promovimi i Qumështit të Freskët Vendor”, nismë e cila është projekt i përbashkët i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës, MBPZhR-së, USAID-it dhe AUV-së.

Ai në fund tha se shoqata ka bashkëpunim të mirë me pothuajse të gjitha 53 pikat grumbulluese në tërë Kosovën.

 

Nazmi Osmani fermer nga fshati Bukosh i komunës së Vushtrrisë, tha për Kosova Info, se është shumë i kënaqur me subvencionin e qumështit për cilësi.

“Jemi shumë të kënaqur, është ndihmë për ne duke pas parasysh se për prodhimin e një litri qumësht punohet gjatë tërë vitit. Si përgatitja e ushqimit, punimi i tokës. kujdesi ndaj lopëve etj., por në fund jemi të kënaqur pasi që mundi jon po shpërblehet nga Ministria e Bujqësisë përmes subvencioneve”, tha Osmani.

Ai tha se, për të arritur deri këtu ku jemi, kemi mbajtur trajnime të ndryshme nga Ministria e Bujqësisë. Shoqata e Prodhuesve të Qumështit dhe organizata të ndryshme.
“Për fund i falënderoj të gjitha institucionet për përkrahjen e vazhdueshme që po na japin në zhvillimin e fermave tona”, tha fermeri Osmani.

Përfitues i këtyre subvencioneve është edhe fermeri nga Lipjani, Shefki Asllani, pronar i fermës bujqësore “Prapashtica”.

Ai thotë për Kosova Info, të jetë i kënaqur me subvencionet që marrin nga MBPZhR, por ai ka një kërkesë për ta.

“Falë subvencioneve edhe kam marr punëtorë. Ka raste edhe kur dal klasë e tretë, klasë kjo që nuk subvencionet, andaj kërkesa ime shumë e sinqertë është që në kuadër të subvencionimeve të hyj edhe klasa e tretë”.

Ndryshe, ai thotë, po të mos ishin këto subvencione, do të ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur mbajtja e fermës.

 

E fermerja nga Llapi, Makfire Muqiqi, thotë të mos ketë qenë në dijeni për këto subvencione. Ajo tha se mostrën e qumështit e ka dhënë vetëm sa për të ditë se cilës klasë cilësore i përket.

“I shihja fermerët e tjerë se po shtoheshin me krerë lopësh dhe sende tjera të nevojshme për një stallë. Kur fillova të interesohem dhe fal edhe zyrtarëve mostrues, kuptova se për mostrat e marra ka edhe subvencionime nga shteti. Andaj kam vendosur që nga ky vit edhe të aplikoj për to”.

Ajo i tha Kosova Info-s, që në të shumtën e rasteve del ekstra klasë.

Muqiqi thotë se me të ardhurat që do marr, gradualisht do rris sa numrin e lopëve, po ashtu edhe të punëtorëve, e pse jo ta bëjë edhe sistemin e mbyllur të mjeljes.

Kurse fermeri Velko Stojanovic, nga Shillova i Gjilanit i cili më herët ka punuar në institucione publike, tash ka filluar të merret me prodhimin e qumështit. Ai për Kosova Info thotë se pa punë s’ka asgjë.

”Më mirë është të punohet diçka e mos t’i zgjatet dora askujt. Është një punë jo e lehtë pasi për një viç duhet pritur tre vjet”, thotë ai.

Fermeri Stojanovic është i kënaqur me prodhimin dhe cilësinë e qumështit duke shprehur mbështetjen e tij që edhe kategoria e tretë të subvencionohet që do të ishte inkurajim për ngritjen e cilësisë së qumështit.

E arritur e ShPQK-së, konsiderohet edhe subvencionimi nga ky vit i pikave grumbulluese të qumështit.

Milazim Berisha pronar i fermës dhe qumështores “Euro Lona” tha për Kosova Info se, me përkrahjen e pikave grumbulluese të qumështit nga MBPZhR me grante investive sektori i prodhimit dhe përpunimit do të përfitojë në ngritje të cilësisë së qumështit.

“Këtë e them duke marrë parasysh tani mundësinë e fermerëve dhe pikave grumbulluese në përmirësimin e infrastrukturës për ruajtje dhe deponim të qumështit 1m11e qasjen dhe mundësinë që ata tash e tutje do të kenë në grantet investive nga MBPZhR”.

Po ashtu, benifitet e fermerëve me ngritje të cilësisë do të mund të përfitojnë edhe nga subvencioni për litër të qumështit i cili ka disa vite që jepet për fermerë dhe njëkohësisht përpunuesit do të kenë produkte më kualitative për konsumatorë, treg dhe kjo do të rezultojë me kërkesë për ngritje apo shtim të kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese!”.

 

Sami Krasniqi pronar i pikës grumbulluese “PG VESA AS”, nga Carralluka e Malishevës është njëri nga përfituesit.

Ai shprehet shumë i kënaqur me bashkëpunimin e Shoqata e Prodhuesve të Qumështit me fermerë, ashtu dhe me pika grumbulluese. Shoqata në dy vitet e fundit ka bërë shumë aktivitete duke i vetëdijesua fermerët për cilësinë e qumështit si dhe duke i mbrojt interesat e tyre. Tani fermerët kanë mundësi në bazë të kategorizimit të qumështit të marrin subvencion, ata të ekstra klasë 6 centë, të klasës dytë 4 centë dhe klasa e dytë 2 centë për litër.

“Fal angazhimit të shoqatës e cila ka arrit që në angazhimin e saj në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë ka bërë një punë shumë të madhe ku këtë vit për herë të parë i ka futur në prioritet që edhe pikat grumbulluese të qumështit të jenë përfitues të granteve nga ministria ku deri me tani nuk kanë qenë të përfaqësuara askund. Pika grumbulluese është një urë lidhëse në mes fermerit dhe përpunuesit ku fermerit i mundëson kushte më të mira si në ruajtje dhe grumbullim të qumështit, i shkurton rrugën në relacion fermer përpunues të qumështit. Këtë vit fal shoqatës kemi arrit që të jemi edhe ne përfitues në grante nga Ministria e Bujqësisë”, tha Krasniqi.

Po ashtu si të arritur ai përmend futjen e pikave grumbulluese të qumështit në grante.

“Pika grumbulluese do t’iu krijoj edhe rritje të vendeve të punës si me numër të punëtorëve në pik grumbulluese po ashtu edhe shitim të numrit të fermerëve që të merren me blegtori ku edhe aty shtohet numri i të punësuarve”, tha ai.

Krasniqi tha se, shoqata ka bërë edhe sensibilizimin e qytetarëve për të konsumua prodhimet vendore ku që dy vitet e fundit kemi pas më pak vështirësi në plasimin e qumështit deri te përpunuesi. /KI/