ALEN

Prodhimtaria e qumështit mbetët e ulët, kërkohet mbështetje institucionale

Institucionet e Kosovës duhet të punojnë edhe më tepër për prodhimtarinë e qumështit, në mënyrë që këtij sektori t’i sigurohet një konkurrencë e barabartë dhe e mirëfilltë.

Kështu ka thënë kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha në konferencën  “Programi për trajnime në sektorin e prodhimit të qumështit në Kosovë”, i cili shtoi se ka mjaft probleme në këtë sektor.

Ai ka thënë se në kuadër të këtij projekti të mbështetur nga Qeveria holandeze, do të bëhet një vlerësim i prodhimtarisë së qumështit dhe do të trajnohen një pjesë e stafit në një periudhë të caktuar në Holandë.

Sipas Berishës, ata si shoqatë do të kenë një përgatitje profesionale për aftësim të fermerëve në prodhimtarinë e tyre për tregun vendor dhe atë evropian.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke treguar për rëndësinë e këtij programi për industrinë e qumështit në Kosovë, theksoi se Holanda ka një prodhimtari më të madhe të qumështit në botë dhe se Holanda duhet të jetë model edhe për Kosovën, sepse sipas saj, në Kosovë ka prodhimtari të vogël të qumështit.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi me këtë rast tha sektori i qumështit konsiderohet me rëndësi strategjike për ekonominë e Kosovës, si dhe është prioritet i politikave zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë.

Ndërsa, kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Valdet Gjinovci tha se kjo agjenci ka mbështetur këtë sektor në mënyra ta ndryshme për mbrojtjen e shëndetit dhe në realizimin e analizave për përcaktimin e klasës së qumështit.

Ndryshe, ambasadorja bëri me dije se Holanda ka një traditë të gjatë dhe ekspertizë, si dhe është në vendin e parë në botë për prodhimtarinë e qumështit, me rreth 4 milionë litra në vit./KosovaPress/