ALEN

BAJRAKTARI: TË PËRKUSHTUAR NË SASI DHE CILËSI TË QUMËSHTIT

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, numëron rreth 2000 anëtarë, e që të gjithë janë prodhues komercial të qumështit, e që do të thotë, dorëzojnë prodhimin e tyre në qumështore, ose në pikat grumbulluese, ku gjithsej mbi 200 mijë litra prodhimtari ditore, kështu ka deklaruar kryetari i kësaj shoqate, Naser Bajraktari.

Këtë deklaratë, ai e ka bërë në konferencën “Gjendja e Prodhuesve dhe përpunuesve të Qumështit”, organizuar nga GAP.

“Të shumta janë aktivitetet me të cilat shoqata jonë është marr me qëllim të përmirësimin e gjendjes në sektorin e qumështit, si në cilësi, po gjithashtu edhe në rregullimin e politikave favorizuese të këtij sektori”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur punën disa vjeçare të kësaj shoqate për heqjen e TVSh-së nga qumështi, subvencionimin e qumështit sipas kategorive në bashkëpunim me MBPZhR, subvencionimin për kokë gjedhi, me numër të pakufizuar të krerëve, rregullimin e akteve nënligjore për mbrojtjen e prodhimit tonë në periudhën e verës nga importet ku kemi bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Parlamentar për Bujqësi dhe atë për Financa e të përkrahur nga MTI.

“Hë për hë, jemi duke e implementuar projektin “Transparenca dhe Neutraliteti i Marrjes së Mostrave” i cili nga ky vit dhe nga dy vitet e ardhshme do të financohet nga KE-ja”, ka thënë ai.

Ky projekt, sipas tij, përveç që ka ndikuar në përmirësimin e marrjes së mostrave dhe modernizimin e makinave, gjithashtu ka mundësuar rritjen e cilësisë së qumështit pasi që varësisht nga kategoria e cilësisë, fermerët subvencionohen nga MBPZhR, me 6 centë për ekstra klasë, 4 cent për klasën e parë dhe 2 cent për klasën e dytë.

“Ne sasinë dhe cilësinë e qumështit do ta ngrisim gjithnjë, sepse kjo është në interesin tonë që kjo të ndodh, por mbetet për tu dëshiruar, siguria në plasmanin e pandërprerë të prodhimit tonë, në stabilitetin e çmimit blerës nga qumështorja, dhe si vazhdimin dhe pse jo edhe në përmirësimin e politikave subvencionuese në këtë sektor”, ka thënë ai.

Ai në fund tha se shoqata ka bashkëpunim të mirë me pothuajse të gjitha 53 pikat grumbulluese në tërë Kosovën. /KI/